Romelu Lukaku mund të jetë i sakrifikuari i parë i Ole Gunnar Solskjaer në fund të këtij sezoni.

I blerë për 90 milionë paund nga Evertoni, sulmuesi belg ka dështuar të tregojë vlerat e tij, duke bërë një sezon të përhumbur, ku ka shënuar vetëm 12 gola në Premier League.

Pas përfundimit të ndeshjes me Chelsean, ku “Djajtë e Kuq” u ndalën në barazim 1-1, falë gafës së De Gea, Lukaku u shpreh i paqartë rreth të ardhmes së tij në Manchester.

I pyetur rreth të ardhmes së tij për sezonin e ardhshëm e në vijim 25-vjeçari tha: “Unë? Nuk e di. Nuk mund të flas për zërat e merkatos. Jam ende nën kontratë (me United)”.

Për të flitet se do të ketë një të ardhme të njëjtë me atë të Antonio Conte, që me gjasë mund ta shohim në stolin e Interit ose Juventusit në fund të këtij sezoni.

Trajneri italian kërkoi ta blinte që kur ishte në drejtim tek Chelsea, mirëpo tani e ardhmja e Lukaku do të lidhet edhe me lëvizjen që do të bëjë Mauro Icardi, nëse sulmuesi largohet nga Interi, atëherë zikaltërit do të kenë buxhet për të synuar sulmuesin belg.

Gjithsesi nëse Juventusi nuk arrin të marrë Icardin në Torino, atëherë alternativë e parë do të jetë Lukaku, që do të vihet në dispozicion të Cristiano Ronaldos në sulm.