Lukaku i pandalshëm, Interi del në vend të parë

Sulmuesi i fuqishëm, Romelu Lukaku ishte i pandalshëm të dielën mbrëma, ndërkohë që Interi ka dalë në vend të parë në tabelën e Serie A.

Interi fitoi 3:1 ndaj Lazios në ndeshjen e xhiros së 22-të të kampionatit italian. Sulmuesi belg realizoi penallti për epërsinë prej 1:0 të Interit. Ai shënoi nga pika e bardhë në minutën e 22-të. Ishte penalltia e dhjetë e realizuar nga Lukaku tek Interi. Nuk ka dështuar asnjëherë.

Për 2:0 Lukaku shënoi në fund të pjesës së parë (45+1). Lazio u mundua të kthehet në lojë kur Gonzalo Escalante shënoi për 2:1 në minutën e 61-të.

Por vetëm tre minuta më vonë Lukaku shpërtheu në një depërtim dhe asistoi mjeshtërisht për Lautaro Martinezin që realizoi për 3:1.

Me këtë fitore, Interi ka dalë në vend të parë me 50 pikë. Në vend të dytë ka rënë Milani që i ka 49 pikë. Lazio është e shtata me 40 pikë.

Për Lazion prej minutës së 70-të luajti Vedat Muriqi.

Lukaku ka arritur në shifrën e 300 golave me skuadra dhe me ekipin A përfaqësues. Ka realizuar 87 herë për Evertonin, 57 herë për Belgjikën, 56 herë për Interin. Te Manchester Unitedi ka shënuar 42 gola, te Anderlechti 41, kurse te WBA 17.