Lukaku i nervozuar pas lënies jashtë formacionit te United
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku ka zbuluar se është i nervozuar pas problemeve rreth prezencës në formacionin startues të trajnerit Jose Mourinho.
Belgu është aktivizuar nga stoli në ndeshjet me Evertonin dhe Manchester Cityn në Premier League para se të rikthehej titullar me Crystal Palacen fundjavën e kaluar, megjithatë Lukaku nuk u preferua nga Mourinho në takimin e mbrëmshëm me Young Boys në Champions League teksa u inkuadrua në lojë vetëm gjatë pjesës së dytë.
“Unë isha i befasuar që ndodhi sërish. Kam pasur një bisedë me trajnerin ku i kam thënë: ‘Dëgjo ka qenë një vit i gjatë dhe pastaj edhe Kupa e Botës, kam ndjerë pak lodhje’. Ai ishte i vetëdijshëm për këtë fakt dhe e mori një vendim duke më thënë se nuk dukesha i lumtur dhe isha nervoz. Unë iu përgjigja ‘po jam shumë nervoz, mos më duhet të qesh tani?’. Pastaj kishim biseda të shkurtra dhe u larguam të dytë”, tregoi Lukaku.
Ish anëtari i Evertonit shtoi se është i gatshëm të japë maksimumin për Mourinhon gjersa theksoi se portugezi kërkon më të mirën nga futbollistët kurse sipas tij është problem i madh nëse nuk arrin të përballet me presionin.