Luis Suarez i del në mbrojtje Griezmannit, kërkon durim për sulmuesin francez

Luis Suarez e ka mbrojtur bashkëlojtarin e tij në Barcelonë, Antoine Griezmann, i cili ka marrë kritika të shumta në fillimin e karrierës së tij në Camp Nou. Sulmuesi uruguaian ka thënë se është e natyrshme që një lojtar të ketë nevojë për pak kohë për t’u përshtatur pasi t’i bashkohet gjigantit katalonas.

Francezi 28-vjeçar, Antoine Griezmann, nuk e ka nisur karrierën në Camp Nou aq furishëm sa ishte pritur nga tifozët kur ai e arriti transferimin nga Atletico Madridi gjatë afatit kalimtar të verës, edhe pse arriti të shënojë në mesjavë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Dortmundit=.

Me katër gola të grumbulluara në La Liga deri më tani, Griezmanni është ende duke u mësuar me ambientin e ri përreth vetes dhe Suarez nuk mendon se francezi e meriton të kritikohet për këtë gjë.

“Natyrisht, nuk është e lehtë për asnjë lojtar ta fillojë jetën këtu në Barcelonë”, ka thënë Suarez, në një intervistë të dhënë për OneFootball.

“Ti ke nevoje për pak kohë në mënyrë që të përshtatesh. Për këtë gjë duhet kohë dhe ndeshje dhe ti ndihesh më mirë gjithnjë, veçanërisht kur bashkëlojtarët e tu të mbështesin”.

“Por, është e nevojshme të kuptohet se ai nuk po luan në pozitën e tij ku luante më herët dhe ai është personi që po bën përpjekje të shumta për t’u përshtatur me kërkesat e Ernesto Valverdes. Këtë e bëmë edhe unë, Philippe Coutinho, Neymari e Ousmane Dembele”.

“Çdo lojtar që arrin këtu në Barcelonë e ka të vështirë në muajt dhe ndeshjet e para… njerëzit të shikojnë në detaje për shkak të rëndësisë që Barcelona e ka, por ai është i qetë dhe ka vetëbesim sepse e ka mbështetjen tonë për ta luajtur futbollin e tij më të mirë”.

Barcelona do të përballet me ish klubin e Griezmannit, Atletico Madridin, të dielën në kuadër të La Ligës.