Luis Enrique zyrtarizohet si trajner i PSG-së

Paris Saint-Germaini e ka konfirmuar Luis Enriquen si trajner të ri të skuadrës. Ish-trjaneri i Barcelonës ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin nga “Parku i Princave”. PSG-ja po të mërkurën e zyrtarizoi largimin e Christophe Galtierit, dhe Luis Enrique do ta zë vendin e tij në krye të skuadrës.

Spanjolli Luis Enrique ka qenë pa punë qëkur u shkarkua nga Spanja pas eliminimit nga 1/8 e fianles së Kupës së Botës nga Maroku, në Botërorin e mbajtur në Katar.

Galtieri, pavarësisht se e fitoi titullin e kampionit në Francë, u eliminua nga Liga e Kampionëve nga 1/8 e finales për herën e katërt në gjashtë vjet. Luis Enrique me Barcelonën e fitoi tripletën në edicionin 2014-15, që ishte i pari i tij në krye të skuadrës nga Katalonja. Ai fitoi nëntë trofe gjatë periudhës së kaluar te Barcelona, por u largua në vitin 2017. Në krye të Spanjës ishte për 44 ndeshje, dhe regjistroi 24 fitore, 11 barazime e nëntë disfata.