Luis Enrique kritikon ashpër gazetarët para Marokut: Shumë baltë mbi Spanjën!

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, është shfaqur në konferencën për shtyp para ndeshjes në 1/8-at e finaleve kundër Marokut sot në orën 16:00.

Këtë herë ka qenë një shfaqje ndryshe e teknikut asturian. Enrike ka lënë pas petkun e humorit dhe shakave dhe ka kritikuar ashpër mediat për mënyrën se si e përcollën humbjen kundër Japonisë në takimin e fundit në grup.

“Bëmë vetëm 10 minuta të dobëta në 270 minuta gjithsej dhe të gjithë na u hodhët në fyt. Asnjëherë nuk shihni anët pozitive, por gjithnjë kërkoni të nxini kombëtaren”, ka thënë trajneri i Spanjës. Kritikat për Spanjën ka qenë dhe për faktin se loja e “Furisë së Kuqe” është gati e lexueshme për kundërshtarin, lineare.

Por edhe pse kështu, Luis Enrike, e ka bërë të qartë se ai nuk do të ndryshojë stil.

“Nuk do të ndryshojmë asnjë në modelin tonë të të luajturit. Ne duam të dominojmë kundërshtarin, por mos harroni se në fushë nuk luajmë ndaj vetes.

Edhe rivalët dinë të luajnë futboll dhe mirë shumë madje”, ka shtuar ai. Duke qëndruar te Maroku, trajneri i Spanjës ka nënvizuar se objektivi i tij dhe i “La Roja”-s është finalja e Botërorit.

“Nuk më intereson rezultati, por më intereson fakti që skuadra të luajë mirë. Nëse e bëjmë këtë vjen dhe fitorja. Jam i bindur se do ta kalojmë Marokun. Këtu jemi për rrugë të gjatë, duam të luajmë 7 takime në Botëror”, ka shtuar ai.

Maroku mund të ketë dalë në vendin e parë në grupin e tij, por gjithsesi është Spanja kampione e botës në vitin 2010-të favorite për të shkuar në çerekfinale.

Pse jo dhe nga pika e penalltive. Vetë trajneri ka nënvizuar se i ka lënë detyrë shtëpie lojtarëve të tij që të bëjnë prova pa fund nga 11 metrat.

“Ka më shumë se një vit që i kam udhëzuar, i kam kërkuar lojtarëve të mi që të gjuajnë 1 mijë penallti secili. Për mua penalltitë nuk janë lotari.

Nëse praktikohesh nga penalltitë je shumë më i përgatitur për të qenë i saktë. Natyrisht që tensioni është ndryshe në stërvitje e ndryshe në një ndeshje botërori por ne kemi gjuajtës të mirë dhe portier të mirë”.

Trajneri i Spanjës ka folur dhe për faktin se do të luajë në një stadium, ku do të dominojnë marokenët, por pa i kushtuar ndonjë rëndësi të veçantë.

“Kjo është gjëja e fundit që më shqetëson”, tha ai. Në fund, Enrike ka folur për gjendjen fizike dhe psikologjike të lojtarëve, duke e bërë të qartë se të gjithë janë gati.

“Nuk kemi asnjë problem fizik. Po ashtu të gjithë jemi të qetë. Kemi folur pas Japonisë dhe e dimë se çfarë do të bëjmë”. /Demokracia.com