“Luftë” me shkrimtarë: Deputeti i LDK-së ia kthen Osmanit me Luigj Gurakuqin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka reaguar pas postimit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, e cila ka cituar një poezi të shkrimtarit Ndre Mjeda.

Osmani citon Mjedën duke thënë se “Çfarëdo sendi me fitue, Trimni lypet e guxim”, ndërsa Bislimi ka postuar një poezi të Luigj Gurakuqit, ku ndër të tjera thotë se durimi është guximi më fisnik.

“”Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron!”
— Lugj Gurakuqi
Durimi është guximi më fisnik!” ka shkruar ai në Facebook.

Vjosa Osmani në këto zgjedhje, për dallim nga zgjedhjet e vitit të kaluar, nuk do të garojë me LDK’në por me një listë të re.

Osmani ka zgjedhur sloganin ‘BESO’, për të cilin edhe u akuzua nga tabori i PDK’së për kopjim të sloganit të tyre “BESO, GUXO, FITO”, të cilin kjo parti e përdori në zgjedhjet e vitit 2004.

Kujtojmë se në zgjedhjet e kaluara, kur Osmani i printe listës së LDK’së për pozitën e shefit të ekzekutivit, slogani i partisë së saj ishte “Beso”.