Ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, është shprehur i shqetësuar me ndikimet që mund të ketë në rajonin e Ballkanit lufta në Ukrainë.
Në adresimin e tij në Samitin “Shtetet e Ballkanit 2024”, ai ka bërë me dije se Rusia me aleatët është një kërcenim ekzistencial për Perëndimin.
Sipas tij, rrezik mund ta prek edhe Ballkanin Perëndimor.
“Sot ekziston një kërcënim ekzistencial për Perëndimin, përfshirë edhe Ballkanin perëndimor. Ky kërcënim mbulon gjithë kontinentin e Evropës”, ka thënë Robertson.
Ai ka vlerësuar se armiqtë e Perëndimit po përdorin taktika te dobësimit të shoqërive të vendeve perëndimore.
“Rusia dhe aleatët e saj si Kina, Irani, mund të përdorin teknika të dobësimit të shoqërive tona. Lufta kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje po vazhdojnë dhe po i dobësojnë institucionet tona demokratike. Duhet të zgjohemi për faktin se nëse Putini fiton në Ukrainë, mund të presim të shohim më shumë nga kjo në të ardhmen”, ka thënë Robertson.







