Luajti katër ndeshje për shtatë vjet, Chelsea i ofron kontratë të re

Marco van Ginkel ka nënshkruar kontratë të re njëvjeçare me Chelsean për të zgjatur qëndrimin e tij në klub në tetë vjet, ndonëse nuk ka luajtur për londinezët gjatë gjashtë vjetëve.

27-vjeçari ka pasur kontratë me klubin nga Stamford Bridge deri në këtë verë, por ai tani ka firmosur për të qëndruar në klub edhe 12 muaj të tjerë.

Van Ginkel ka dështuar të shpërthejë te Chelsea, ndërsa është dërguar në huazim te skuadra të ndryshme. Lëndimet po ashtu kanë ndikuar në periudhën e tij te klubi i madh, shkruan Daily Mail të premten.

Trajneri aktual, Frank Lampard, ishte ende lojtar te Chelsea, kur holandezi Van Ginkel arriti nga Vitesse për tetë milionë funte.

Ai ka luajtur vetëm katër ndeshje për ekipin e parë, ndërsa më shumë ka luajtur për të rinjtë. Besohet se Van Ginkel merr rreth 28 mijë funte në javë, që do të thotë se ka fituar rreth 10 milionë funte deri më tani nga Chelsea, apo rreth 105 mijë funte për çdo minutë të luajtur për ekipin e parë.

Ai startoi mirë, por një lëndim i gjurit në muajin e dytë në Londër ia ndali zhvillimin.

Ai më pas e kaloi një edicion në huazim te AC Milani dhe luajti rregullisht në Serie A para se të paraqitej për Stoke dhe PSV Eindhoven në edicionin 2015\16. E ndihmoi PSV-në që të fitoi titullin e kampionit të Holandës.

Van Ginkel kaloi edhe dy edicione tjera në Eindhoven, ndërsa fitoi titullin e dytë të Holandës në vitin 2018. Në verë të atij viti iu nënshtrua një operimi në gju dhe është në pritje të rikthimit.

Ka pasur komplikime pas operimit. Ai në fakt iu nënshtrua tri operimeve brenda gjashtë ditëve për të sanuar një infeksion serioz në gju.

Gjatë pandemisë, Van Ginkel është parë duke ushtruar në stadiumin e zbrazët të Chelseat.