Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Low ka thënë se sulmuesi i Bayernit, Thomas Muller është duke kaluar në një moment të vështirë derisa e ka mbështetur të rikthehet në formën e tij më të mirë.

29 vjeçari nuk është preferuar nga trajneri i bavarezëve, Niko Kovac por Muller sërish mbetet në planet e Low që mendon se fituesi i Këpucës së Artë në Kupën e Botës së vitit 2010 mund të luajë rol të rëndësishëm te Gjermania.

“Pavarësisht se kohët e fundit nuk ka luajtur as me skuadrën e as me Gjermaninë, Muller është një futbollist që jep shumë energji dhe mund t’i motivojë të rinjtë. Ai i ka ende ato kualitete si finalizimi dhe kthimi prapa në mbrojtje. E kam parë në formë të mirë përballë Dortmundit për 60-70 minuta, Muller mund të jetë vendimtar përkundër që për momentin po kalon nëpër një fazë të vështirë”, tregoi Low.

Gjermania përballet sonte me Rusinë në një takim miqësor ndërsa pas 4 ditëve ballafaqohet me Holandën në ndeshjen e fundit në “Nations League”, kompeticion në të cilin “Pancerat” rrezikojnë rënien, megjithatë Low e ka kthyer fokusin te kualifikueset për EURO 2020.

“Nuk është në dorën tonë qëndrimi në Ligën A të Nations League, duhet të presim dhe të shohim rezultatin e ndeshjes Holandë-Francë. Më e rëndësishme për mua janë kualifikueset e EURO 2020, është e rëndësishme që deri atëherë ta gjejmë formacionin tonë më të mirë”, përfundoi Low.