Sulmuesi i Manchester Cityt, Leroy Sane shënoi njërin prej 3 golave mbrëmë në fitoren ndaj Rusisë në takimin miqësor, ndërsa paraqitja e 22 vjeçarit ka fituar simpatinë e përzgjedhësit Joachim Low i cili e la jashtë listës për Kampionatin Botëror.

Performanca e Sanes ngriti kritika nga opinioni sportiv në Gjermani ndaj Lowit për mospërfshirjen e ish lojtarit të Schalkes në listën e futbollistëve të ftuar në Kupën e Botës, që rezultoi dështim total për “Panzerat” të cilët u eliminuan që në fazën e grupeve.

“Kishim një pjesë të parë pozitive, dhe e kontrolluam ndeshjen mirë. Në takimet tjera ishim kritikuar për shkak se nuk e ndërtonim lojën nga thellësia. Ndaj Rusisë kemi arritur ta bëjmë këtë në disa raste. Sane dhe Havertz më impresionuan sot me pozicionimet e tyre”, deklaroi Low.

Gjermania ka përpara një test të vështirë kur të hënën ballafaqohet me Holandën në shtëpi, ndeshje që vlen për shmangien e rënies nga Liga A e Nations League, por paraprakisht gjermanët duhet të shpresojnë që sonte kombëtarja e “Tulipanëve” të mposhtet nga Franca.