Mbrojtësi i Liverpoolit, Dejan Lovren e cilëson shumë të rëndësishme përballjen me Anglinë në ndeshjen e fundit të Nations League, teksa fitorja në këtë ballfaqim do t’i dhuronte vendin e pare Kroacisë.
29 vjeçari ishte pjesë e kombëtares së Kroacisë në suksesin e jashtëzakonshëm që ballkanasit kishin në Kampionatin Botëror verën e kaluar në Rusi, derisa në finale u mposhtën nga Franca por në gjysmëfinale eliminuan pikërisht Anglinë me “3 luanët” që do të kërkojnë hakmarrjen për atë humbje të dhimbshme.
Në “Wembley” të dyja kombëtaret janë të vetëdijshme se fitorja i rendit në krye të grupit, ndërsa Lovren pret një ndeshje të zjarrtë.
“Është finale ndaj Anglisë kështu që patjetër se do të jemi të gatshëm. Mendoj se ndaj tyre do të jetë një ndeshje e zjarrtë, ata na njohin dhe e dinë se çfarë mund të bëjmë. Më pëlqen të luaj ndaj Anglisë, i njoh lojtarët nga Premier League dhe jam përballur me ta shumë herë. Ata do të kenë motivim shtesë pas ngjarjeve në Botëror, por ne do të jemi të guximshëm. Nuk do të jetë një miqësore, e kemi mposhtur Spanjën dhe tani duam të fitojmë sërish”, theksoi Lovren.
Nëse sfida direkte përfundon në barazim pa gola do të jenë kroatët atë që do të bien një kategori më poshtë, kurse nëse ndeshja përfundon në barazim me gola atëherë Anglia do të përshëndetet nga Liga A, teksa në anën tjetër Spanja nuk rrezikon rënien por do të shpresojë te barazimi për të përfunduar e para në grup







