Ish lojtari i Manchester Unitedit, Louis Saha beson se Zinedine Zidane do të ishte zgjedhja e duhur për të pasuar Jose Mourinhon në stolin e “Djajve të Kuq”.
20 herë kampionët e Anglisë janë në kërkim të një trajneri me bazë të përhershme në “Old Trafford” pas shkarkimit të Mourinhos javën e kaluar, teksa deri në fund të sezonit skuadrën do ta drejtojë ish sulmuesi legjendar, Ole Gunnar Solskjaer.
Përveç Mauricio Pochettinos, trajner i Unitedit spekulohet se mund të jetë edhe Zinedine Zidane, i cili udhëhoqi Real Madridin drejt 3 trofeve rradhazi në Champions League ndërsa gjatë 2 sezoneve e gjysmë në “Santiago Bernabeu”, Zizou fitoi edhe një La Liga në mesin e shumë titujve tjerë.
Bashkëkombasi i Zidanes, Louis Saha e ka mbështetur emërimin e tij si trajner te Unitedi.
“Unë jam një tifoz i madh i tij sa i përket lidhjeve me njerëzit. Zidane ka qenë një lojtar i jashtëzakonshëm, si trajner nuk ka të ngjashëm. Ai ka bërë shumë progres në komunikim, mahnitem kur e dëgjoj duke folur. Ai jeton me futbollin dhe është një person pasionant, i cili i ka të gjitha cilësitë për t’u respektuar. Zidane e di sesi duhet të balancohet sulmi dhe mbrojtja. Sipas meje është zgjedhja e duhur për Unitedin, mendoj se tifozët do ta përkrahin ashtu sikur edhe bordi drejtues sepse e meriton”, tha Saha.
Në anën tjetër në ndeshjen e parë si trajner i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer arriti një fitore të thellë me rezultat 1-5 në udhëtim te ish skuadra e tij, Cardiff City, kurse kjo ishte hera e parë që “Djajtë e Kuq” shënojnë 5 gola brenda një ndeshjeje prej takimit të lamtumirës së legjendarit, Sir Alex Ferguson në maj të vitit 2013.







