Kriza e Real Madridit

Lopetegui preferon të fokusohet në ndeshjet e ardhshme

Trajneri i Real Madridit, Julen Lopetegui insiston se “Los Blancos” nuk mund të vazhdojë me këtë seri negative të rezultateve ndërsa i ka injoruar komentet lidhur me të ardhmen e tij.

Real Madridi kthehet të luajë nesër në La Liga pas pauzës së kombëtareve, teksa përballet me Levanten ku synon t’i jep fund ecurisë negative me 4 ndeshje pa fitore në të cilat nuk ka arritur të shënojë gol.

Kjo formë e dobët ka shtuar spekulimet për largimin e Lopeteguit nga drejtimi i 13 herë kampionëve të Europës, por ish përzgjedhësi i Spanjës sheh potencial të mjaftueshëm te futbollistët e tij për të dalë nga kriza e rezultateve.

“Unë kam besim të plotë në lojtarët e mi dhe mendoj se do të kemi një sezon të madh. Ka shumë rrugë drejt përfundimit do të jemi shumë shpejt shumë të fortë. Nuk mund të shohim prapa por vetëm përpara”, theksoi Lopetegui.

Kur u pyet nëse futbollistët e tij janë të shqetësuar me formën e tyre të dobët para portës, Lopetegui u përgjigj:

“Ne do të tentojmë të fokusohemi vetëm te ndeshja jonë. Ne nuk jemi të shqetësuar për rekorde apo gjëra të ngjashme, duhet vetëm të krijojmë mundësi dhe t’i konkretizojmë ato”, përfundoi Lopetegui.