Superliga

Lojtarët kërkojnë që edicioni të vazhdojë

Edicioni në Superligën e Kosovës në futboll duhet të vazhdojë. Ky është qëndrim i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës.

Shoqata të hënën mbrëma ka lëshuar një komunikatë ku ka tërhequr vërejtjen se mosvazhdimi i edicionit do të rrezikonte mirëqenien e futbollistëve. Shoqata, që për synim e ka mbrojtjen e të drejtave të lojtarëve, është e vetëdijshme se disa klube tashmë nuk po i paguajnë lojtarët.

Në ditët e fundit është diskutuar shumë për atë nëse duhet të vazhdojë edicioni në Superligën e Kosovës në futboll. Madje ka përplasje mes klubeve nëse duhet të vazhdojë edicioni e po ashtu për atë se kush duhet të dal në Evropë nëse eventualisht edicioni nuk vazhdon.

Nuk ka qëndrim të qartë nga FFK-ja nëse edicioni do të vazhdojë. Ndërkohë autoritetet e vendit kanë bërë të qartë se sporti do të kthehet vetëm në qershor, raporton Koha.net.

Gjithsesi qëndrimi i lojtarëve shkon në favor që ndeshjet të zhvillohen.

“Në vijim të takimit të fundit të mbajtur me anëtarët e bordit dhe kapitenët e Superligës së futbollit, SHMDFK njofton opinionin e gjerë se kemi pajtueshmëri të plotë për vazhdimin e pjesës së mbetur të kampionatit. Pavarësisht pozitës tabelore të skuadrave të tyre dhe nevojës për ndryshim të kalendarit, futbollistët janë të gatshëm që ndeshjet e mbetur të zhvillohen pasi që gjendja e tyre ekonomike do të rëndohej edhe më shumë nëse kampionati do të anulohej”, thuhet në komunikatën e Shoqatës.

“Tanimë e dimë që ka klube të cilat nuk i kanë paguar futbollistët me muaj dhe nëse nuk do të paguheshin as për muajt në vazhdim, atëherë do të rrezikohej dukshëm mirëqenia e tyre dhe e familjeve të tyre”.