Lojtarët e Boca Juniores rrihen me njëri-tjetrin në tunel

Një mbrëmje që nuk ishte aspak e qetë, ajo e kaluar nga Boca Juniors në shtëpinë e Racing në Avellaneda.

Ajo që e bëri të ndezur, megjithatë, nuk ishin golat dhe emocionet në fushë (ndeshja përfundoi me një rezultat të vakët 0-0), por ajo që ndodhi në interval në dhomën e zhveshjes të Xeinezes, me Dario Benedetton dhe Carlos Zambranon protagonistë të një beteje shumë të ashpër që përfundoi në një rrahje të vërtetë me grushtat në fytyrë të argjentinasit ndaj peruanit, i cili, në kthimin e tij në fushë, mbante shenjat e dukshme të pasojave në fytyrën e tij…

Sezoni aktual për Boca Juniors nuk po rezulton ekzaktësisht emocionues, me klubin e Buenos Airesit vetëm në vendin e 11-të në renditje dhe madje 11 pikë larg kreut të zënë nga Atlètico Tucuman. Një paraqitje që pashmangshmërisht çon në pakënaqësi edhe në dhomat e zhveshjes, me sherre e kontradikta të brendshme që rrezikojnë të përkeqësojnë më tej situatën. E ajo që ndodhi në pjesën e parë të ndeshjes kundër Racing Avellaneda është një demonstrim i qartë i kësaj, me Benedetton dhe Zambranon që u përplasën fizikisht dhe u ndanë nga shokët e tyre. Gjithçka nisi pas përfundimit të pjesës së parë.

Duke shkuar drejt dhomave të zhveshjes pas pjesës së parë, Benedetto akuzoi Zambranon për mungesë vëmendjeje në mbrojtje: “Nëse shohim topin kur ata krosojnë, do të na shënojnë, ku**ë. Bëj markimin si duhet”. Fjalë që padyshim që nuk i pëlqyen mbrojtësit peruan, i cili menjëherë u përgjigj: “Mendo të shënosh dhe mbylle gojën”. Larja e hesapeve ndodhi brenda dhomave të zhveshjes të Bocas, me Benedetton i cili, sipas mediave argjentinase, ka goditur me grusht në fytyrë shokun e skuadrës. Në fakt, Zambrano është rikthyer në fushë me një mollëz mjaft të fryrë, ndërsa vetë sulmuesi kishte një shenjë të dukshme në qafë.

Asnjëri nga lojtarët nuk ka dashur të komentojë atë që ndodhi, edhe pse trajneri Hugo Ibarra konfirmoi debatin, duke mbetur sidoqoftë i paqartë: “E di që ka pasur një përleshje mes dy lojtarëve, Benedetto dhe Zambrano, por nuk di më shumë”, tha ai në konferencën pas ndeshjes. “Diskutimet në futboll kanë ekzistuar gjithmonë, janë situata që janë pjesë e lojës”. Pastaj në lidhje me shenjat në fytyrën e Zambranos, ai shtoi: “Nuk e di se cili mund të jetë shkaku. Ndoshta ishte një goditje që mori në pjesën e parë…”.