Lojtar i rëndësishëm në diplomacinë amerikane që nga Klintoni deri sot: Kush është Derek Chollet

Në kohën kur veriu po përballet me situatë të tensionuar nga grupet kriminale serbe, në Kosovë vjen zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan, Derek Chollet.

Ai do të takohet me liderët e Kosovës, në kuadër të kësaj vizite në rajon që ka për qëllim përkushtimin e qëndrueshëm të ShBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Kjo vizitë po ashtu ka të bëjë me bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e ShBA-së për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Kosova është një aleate dhe partnere shumë e mirë e Shteteve të Bashkuara. Ne gjithashtu kemi marrëdhënie të rëndësishme me Serbinë. Ne jemi duke tentuar të bëjmë çdo gjë që të jemi një partner i mirë i Serbisë sepse ajo punon me ne përbrenda kornizës së procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të cilin ne e mbështesim plotësisht për të arritur një zgjidhje më të mire për të dy vendet”, tha Chollet kur u pyet në lidhje me pretendimet se Shtetet e Bashkuara nuk e trajton Serbinë aq ashpër sa Kosovën.

Kush është Derek Chollet?

Nënsekretari amerikan, Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

Ai ka punuar edhe më herët në pozita të ndryshme në Departmentin e Shtetit, e po ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Mbrojtjes. Chollet kishte punuar edhe në Administratën e Bill Clintonit duke shërbyer si fjalim shkruesi kryesor i ambasadorit në OKB, Richard Holbrooke.

Ai gjithashtu është autor dhe bashkautor i tetë librave që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe është fitues i shumë çmimeve që kanë të bëjnë me shërbime publike.

Chollet ishte njeriu kryesor në politikën amerikane, që kërkonte nga kryeministri Kurti shtyrjen e afatit për targa.

Derek Chollet u bë zyrtari i lartë amerikan më i zëshëm që i kërkonte Kosovës shtyrjen e afatit për targa, madje duke lënë në hije Gabriel Escobarin – përfaqësuesi i lartë amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Ai fillimisht kishte bërë bujë për një telefonatë që e kishte pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në postimin e tij në Tëitter, Chollet do të “ndante zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.

Për herë të parë një zyrtar amerikan publikisht po tregonte se kishte ndarë zhgënjimin për veprime të Kosovës me Serbinë. Ky reagim i tij vinte vetëm pak ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit kishte shprehur “shqetësim dhe zhgënjim” me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin në fjalë.

Kë do ta vizitojë?

Chollet do ta fillojë sot vizitën e tij në Prishtinë, ku do të qëndrojë për dy ditë. Pas kësaj, ai pritet të udhëtojë drejt Beogradit me 13 dhjetor, kurse të nesërmen (14 dhjetor) ai do të jetë në Shkup dhe Sarajevë. Turneun e tij të takimeve zyrtari i lartë amerikan do ta përfundojë në Bruksel, më 16 dhe 17 dhjetor, ku ai do të zhvillojë takime me partnerë nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të NATO-s./Periskopi