Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot ka bërë një imunizim të dyfishtë.
Zyra e Kryeministrit njofton se krahas vaksinës kundër COVID-19, njëkohësisht dhe në të njëjtën qendër të vaksinimit, kryeministri mori edhe vaksinën kundër gripit sezonal.
“Mundësia për të marrë të dyja vaksinat njëkohësisht, na jep mundësinë të mbrohemi nga të dyja sëmundjet, për të mbrojtur veten dhe të tjerët” u shpreh ai.
Kreu i Qeverisë po ashtu bëri thirrje që të gjithë qytetarët mbi moshën 18-vjeç të marrin dozën përforcuese të vaksinës pasi të kenë kaluar gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.
“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Ajo jepet gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftim.
Por si po shihet ky veprim dhe a mund të shkaktojë komplikime në shëndetin e kryeministrit?
Demokracia.com ka folur me specialist shëndetësor për kundër efektet që mund të ketë vaksinimi i dyfishtë i kryeministrit Kurti.
Dr. Adriatik Lajçi, ka thënë se ndonëse nuk shkakton kundërindikacione marrja e dy vaksinave në të njëjtën kohë nuk është e preferueshme.
“Vaksina kundër Covid-19 dhe vaksina kundër gripit sezonal nuk bënë të merret në të njëjtën kohë. Nuk shkakton ndonjë komplikacion të madh tek pacienti por e ngarkon shumë duke i shkaktuar lodhje, temperaturë të lartë dhe dhimbje në vendin e injektimit”, tha Lajçi
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me infektologun Izet Sadiku, i cili e ka komentuar këtë veprim.
Sadiku ka thënë marrja e dy vaksinave në të njëjtën kohë mund të bëhet.
“Nuk ka ndonjë problem. Veçse duhet të merret në duar të ndryshme.”, ka thënë Sadiku për Demokracia.com.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë janë 314 raste aktive me COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1,656,937 doza të vaksinës dhe se deri më sot 777,730 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.







