“Lobimet e Serbisë për çnjohje kanë synim rritjen e pazarit në dialog dhe mbajtjen e Kosovës nën presion”

Deklarimet e kryediplomatit serb, Ivica Daçiq se Serbia do të vazhdoj fushatën ndërkombëtare për të siguruar çnjohje të Kosovës, po konsideron s’i humbje kohe nga analisti politik, Arbnor Sadiku.

Ai ka përmendur edhe deklarimet e Shtete e Bashkuara të Amerikës, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se deri më tani nuk ka pasur çnjohje.

Ai madje shtoi se në aspektin e teorisë dhe të drejtës ndërkombëtare publike, termi “çnjohje” nuk ka kuptim.

“Konsideroj që këto çnjohje, tha edhe Chollet, se për Serbinë janë një humbje kohe sepse Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, dhe për SHBA-në nuk ka pasur as një çnjohje deri më tani për Kosovën, po ekziston një shtet i cili është pranuar nga mbi 117 njohje dhe siç e dimë në aspektin e teorisë dhe drejtës ndërkombëtare publike, termi ‘çnjohje’ nuk ka kuptim për faktin se nëse një shtet e njeh një shtet tjetër në diskrecion të plotë, që i bie ka qenë e drejtë e tij por jo obligim dhe këtë akt e ka kryer pa as një presion nga një palë e tretë apo ndonjë shtet tjetër, atëherë është shumë vështirë e justifikueshme tërheqja e asaj njohje”, tha ai.

Sadiku theksoi se Serbia fushatën për çnjohje është duke e përdorur për ta rritur pazarin në dialog dhe për ta mbajtur nën presion Kosovën.

Ai shtoi po ashtu se kjo fushatë është duke u bërë si kundërpërgjigje ndaj Kosovës pas aplikimit të saj në disa organizata ndërkombëtare.

“Serbia këtë është duke e përdorur për ta rritur pazarin në dialog, për ta mbajtur nën presion Kosovën, në kuptimin e propagandës politike dhe luftës mediale. Kjo më tepër ka qenë si kundërpërgjigje ndaj Kosovës sepse Kosova ka bërë kërkesën e saj për aplikim në disa organizata ndërkombëtare, siç është unioni Evropian dhe kjo menjëherë ka reflektuar tekë Serbia, që përveç ta bllokoj Kosovën që të mos hyjë në agjendë për anëtarësim në Unionin Evropian, njëjtën kohë edhe të loboj për çnjohje, si rezultat i kësaj edhe ka ndodhur mendoj si kundërpërgjigje ndaj Kosovës kjo loja  e Daçiqit dhe Vuçiqit”, tha ai.

Ai tha se në lidhje me këtë çështje Serbia ka marr përgjigje edhe nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së.

“Kundër përgjigja ishte jashtëzakonisht e mirë nga ShBA-ja dhe vendet e BE-së, që Serbi më tepër duhet që të fokusohet në arritjen e kësaj marrëveshjes franko-gjermane se sa të fokusohet në çnjohje, sepse bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në aktualitetin politik që është duke ndodhur në negociatat midis Kosovës dhe Serbisë konsideroj që është vetëm një humbje kohe dhe asgjë nuk mund të arrihet me këtë”, përfundoi ai.