Portieri i Tottenhamit

Lloris i emocionuar para përballjes me Messin

Lionel Messi po kalon një tjetër sezon pozitiv me Barcelonën, dhe portieri i Tottenhamit, Hugo Lloris e pranon se i duhet diçka e veçantë për ta mbajtur të heshtur yllin argjentinas.

Barcelona pret sonte Tottenhamin në “Camp Nou” me londinezët që e kanë detyrim fitoren në mënyrë që të sigurojnë kualifikimin, kurse gardiani i “gjelave” beson se mënyra e vetme për t’i ndalur katalanasit është të qëndrojnë së bashku.

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde e ka siguruar Interin se skuadra e tij nuk do të bëjë lëshime ndaj Tottenhamit, pavarësisht se e kanë siguruar vendin e parë në grupin B, gjersa Messi nuk do të lihet në bankën rezervë.

“Do të përballemi me njërin prej lojtarëve më të mirë në histori. Nuk do të jetë e lehtë por ne do të shkojmë me 100% të vetbesimit se mund të ia dalim. Do të jetë e vështirë të ndalësh dikë si Messi, por mënyra e vetme është ta bëjmë si skuadër. Nëse e shikoni golin ndaj Espanyolit të shënuar nga gjuajtja e lirë, nuk mund të bësh asgjë në atë rast. Messi është tip i lojtarit që mund ta vendos ndeshjen i vetëm, nuk duhet t’i lejojmë atyre hapësira”, theksoi Lloris.

Messi ka realizuar 3 gola në 3 ndeshjet e fundit, ndërsa kishte shënuar edhe dy gola në përballjen e parë me Tottenhamin në “Wembley”, ndeshje e përfunduar me fitoren 2-4 të “Blaugranave”.