Lloris e pranon se Franca mund ta kishte pësuar edhe më keq ndaj Holandës

Hugo Lloris ishte ylli i mbrëmjes në humbjen e Francës 2-0 ndaj Holandës, ndërsa portieri i Tottenhamit, e ka pranuar se rezultati mund të ishte edhe më i thellë në favor të kundërshtarëve.

Ishte natë zhgënjyese në Rotterdam për kampionët e botës të cilët u dorëzuan para golave të Wijnaldum dhe Depay, dhe në këtë mënyrë e rrezikojnë edhe vendin e parë në grupin 1 të Ligës A.

Holandës i mjafton edhe barazimi në udhëtim te Gjermania të hënën për ta mbyllur grupin si kryesuese, kurse në anën tjetër kjo ishte disfata e parë për Francën që nga triumfi në Kampionatin Botëror.

“Ne luajtëm me potencialin minimal dhe paguam për këtë. Rezultati ka mundur të jetë më i thellë në favor të Holandës. Duhet të shpresojmë se Gjermania do t’i mposht ata. E kemi ditur se çfarë na pret nga kjo ndeshje teksa Holanda e kishte dëshmuar forcën e saj në takimet me Gjermaninë dhe Belgjikën. Tashmë nuk e kemi fatin në duart tona, është zhgënjyese, duhet ta analizojmë këtë humbje”, deklaroi Lloris.

Franca e përfundon këtë vit kalendarik me sfidën miqësore ndaj Uruguait të martën në mbrëmje.