Pas mungesës së minutave te Tottenhami, Fernando Llorente ka aluduar te një rikthim në La Liga.
Llorente ka luajtur jashtë Spanjës në 3 vitet e fundit, teksa gjatë kësaj kohe është aktivizuar te Swansea City dhe tani te Tottenhami.
33 vjeçari ka mbetur nën hijen e Harry Kane, ndërsa prej se u transferua në Londër në vitin 2017 i ka bërë vetëm 11 paraqitje si startues, dhe me kontratën që i skadon verën e ardhshme, Llorente ka zbuluar se La Liga është destinacioni i tij i preferuar.
“Kam qenë larg shtëpisë për shumë vite, do ta doja një rikthim në Spanjë”, deklaroi Llorente për gazetarët në përfundim të ndeshjes me PSV-në në të cilën i zhvilloi 15 minuta.
Paraqitja përballë klubit holandez Llorentes i jep shpresë që të jetë më shumë në planet e trajnerit Mauricio Pochettino.
“Unë u futa në lojë dhe gjërat shkuan mirë për ne, kështu që jam i lumtur që munda t’i ndihmojë skuadrës. Shpresoj që të më jipen mundësi tjera, është e rëndësishme për mua sepse më jep vetbesim. Nuk është e lehtë kur nuk luan sepse duhesh të jesh i fortë psikologjikisht për të gjetur forcë për t’u stërvitur”, tha Llorente.







