Llapi njofton se tifozët e Buducnostit s’do të vijnë, dalin në shitje edhe biletat e Sektorit të Jugut

Tifozët malazezë të Buducnostit të Podgoricës nuk do të udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen e kthimit kundër Llapit në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Llapi para pak çastesh njoftoi se për shkak të mospjesëmarrjes së tifozëve malazezë në Prishtinë, biletat për sektorin e Jugut do të dalin në shitje dhe se çmimi i tyre kushton vetëm një euro.

“Ju njoftojmë se përshkak të mos pjesëmarrjes së tifozëve të ekipit mysafir, do të ketë në shitje edhe bileta për Sektorin e Jugut, të cilat kushtojnë vetëm 1 Euro. Për lokacionin e shitjes së tyre do njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e klubit llapjan.

Përkundër provokimeve të shumta në distancë për udhëtim në Prishtinë, tifozët e Buducnostit nuk kanë bërë fare kërkesë për bileta për këtë sfidë të rëndësishme që luhet të enjten mbrëma.