Në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës u zhvilluan katër ndeshje, nga ora 13:30. Prej tyre vetëm Llapi, Ferizaj dhe Liria arritën të sigurojnë fitore.
Pas fitores kundër Prishtinës, Llapi e mposhti edhe Gjilanin. Klubi nga Podujeva e fitoi këtë ndeshje, si mysafir, em rezultat 1:0, përmes golit të shënuar nga Elvis Prençi, në minutën e 81-të të ndeshjes.
Këto tri pikë janë mjaft të rëndësishme pasi që dy rivalët e Llapit për titull do të përballen sot mes vete, kështu që kjo ishte mundësia e Llapit për ta ngushtuar edhe më shumë garën për titull.
Në minutën e 30-të të ndeshjes, Fiton Hajdari i Gjilanit e shënoi një gol, mirëpo goli u anulua nga gjyqtari i ndeshjes, për shkak se Behar Maliqi u faulua nga Kushtrim Shabani.
Ndeshja tjetër e ditës e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj, mes Drenicës dhe Flamurtarit, përfundoi me rezultat 1-1. Mysafirët patën më shumë raste për të shënuar, megjithatë ndeshja përfundoi baras.
Dy golat e kësaj ndeshje u shënuan brenda dy minutave. Fillimisht ishte Drenica ajo që kaloi në epërsi, në minutën e 29-të, përmes golit të shënuar nga Andrews, mirëpo vetëm disa momente më vonë u barazua rezultati, falë Egzon Krasniqit.
Në anën tjetër Përballja mes Trepçës ’89 dhe Lirisë, në Mitrovicë, përfundoi me rezultat 2-1, në favor të klubit mysafir.
Tri golat e kësaj ndeshjeje u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes. Për Lirinë shënoi Liridon Fetahaj dhe Ilir Mustafa, ndërsa golin e vetëm të vendasve e shënoi Gava.
Edhe Ferizaj triumfoi në ndeshjen kundër KEK-ut, e cila u zhvillua në stadiumin e qytetit të Ferizajit. Kjo disfatë, me rezultat 4-1, e thelloi krizën e KEK-ut, që deri më tani e ka marrë vetëm një pikë.
Fillimisht mysafirët kishin kaluar në epërsi në minutën e 12-të, përmes golit të Pleurat Shabanit. Mirëpo, vendasit u përgjigjën shpejt dhe vetëm pas katër minutave lojë, Burim Shabani e barazoi rezultatin.
Në minutën e 33-të, Shabani shënoi përsëri, dhe afër fundit të ndeshjes shënuan edhe Hysen Demiri dhe Durim Gashi.
Tabela e plotë e javës së 21-të kur ka mbetur të zhvillohet edhe derbi Prishtina-Feronikeli








