Lladrovci e anëtarësoi në parti të përfolurin në skandalin e 2 milionëve të vjedhura, PDK i reagon ashpër kryetarit të Drenasit

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, ka reaguar lidhur me aderimin në PDK të asamblistit Burim Bujupi nga kryetari i Komunës Ramiz Lladrovci.

PDK në Drenas, konsideron se një gjë e tillë është bërë pa dijeninë dhe në mënyrë të pakoordinuar me strukturën e degës.

Sipas kësaj dege, është anashkaluar kryetari dhe kryesia e nëndegës në Arllat, po ashtu kryesia dhe kryetari i degës në Drenas.

“Struktura e Degës e konsideron të dëmshme dhe tendencioze një aderim të tillë pasi që kjo nuk e fuqizon Degën, përkundrazi është tentim i ndërtimit të paralelizmit në struktura, e krejt kjo për arsye të realizimit të pushtetit personal e grupor”.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë:

PDK në Drenas, nuk ka asgjë kundër asamblistit Bujupi, dhe ndaj askujt tjetër që dëshiron t’i bashkohet familjes së madhe politike ne Drenas, mirëpo i aderuari duhet që së pari të pastrohet para organeve të drejtësisë, lidhur më përfshirjen e tij në skandalin e 2 Milionëshit në Ministrin e Financave përkatësisht në Thesarin e Shtetit.

Partia Demokratike e Kosovës është secilën ditë duke u pasuruar me kuadro të përgatitura, profesionale dhe kredibile, andaj të kontribuojmë për ndryshim e të ardhme me përfaqësim të denjë!

Burim Bujupi u përmend në raportimet se ai është pjesë e skemës së vjedhjes milionëshe nga Thesari. Kësisoj, lidhjet e tij çojnë edhe drejt Kadri Shalës, bashkë-pronarit të “LDA Group” Sh.P.K.

Në xhirollogarinë e Kadri Shalës, ishte procesuar një transaksion në vlerë prej mbi 50 mijë eurove disa orë pas transferimit të mjeteve të vjedhura nga Thesari në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K., tregojnë të dhënat.

Bëhet fjalë për kompaninë “Koni projekt” Sh.P.K., e cili – bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK – ka përcaktuar si aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore, ndërkaq si aktivitet sekondar zhvillimin e projekteve ndërtimore.

Bujupi, është po ashtu pronar i firmës “Atika Beton” L.L.C., me bazë në fshatin Shkabaj të Prishtinës.