Në Drenas “s’ka virus”! Mblidhet PDK-ja duke mos i respektuar masat anti-pandemi

Sonte është mbledhur nëndega e Partisë Demokratike të Kosovës në Arllat.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka postuar disa fotografi nga ky tubim, ku mund të vërehet se aty ndodhet një numër i madh njerëzish dhe se nuk respektohen masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Klan Kosova ka provuar që të kontaktojë me Ramiz Lladrovin për të mësuar më shumë detaje rreth kësaj mbledhje; mirëpo deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij në Facebook:

Sonte, Nëndega e PDK-së në Arllat, është më e madhe për 70 anëtarë (familje), ndërsa grupi parlamentar i PDK-së, më i fortë për një asamblist.

Ne nuk do të ndalemi, do të punojmë edhe më shumë, edhe më mirë, sepse zotimi ynë para më meritorëve tanë është përkushtimi për mirëqenien e qytetarëve, sundimi i ligjit, transparenca dhe llogaridhënia.

Këto vlera ishin edhe motivi që nëndegës tonë në Arllat iu bashkuan anëtarët e Nismës së bashku me asamblistin komunal të kësaj partie, z. Burim Bujupi.

Mirënjohës dhe falënderues për z. Bujupi dhe anëtarët e rinj të PDK-së të Nëndegës Arllat!

Bashkë jemi edhe më të fortë!