Liverpool

Liverpooli identifikon yllin 50 milionësh të Serie A si transferimin e parë të Arne Slot

Teksa sezoni në Ligën Premier nuk ka përfunduar ende, Liverpooli tashmë po mban një sy në afatin kalimtar veror dhe po bëhet gati për jetën pa Jurgen Klopp.

Klopp do të largohet nga posti i trajnerit të Liverpoolit në fund të sezonit, dhe trajneri i Feyenoordit, Arne Slot, raportohet se do ta zëvendësojë atë si trajner i ri në ‘Anfield’.

Sipas mediumit italian SportMediaset, Liverpooli ka identifikuar mesfushorin e Atalantës, Teun Koopmeiners, si transferimin e parë në epokën e Arne Slot.

26-vjeçari ka impresionuar me paraqitjet e tij këtë sezon dhe ishte pjesë e ekipit që eliminoi Liverpoolin nga Liga e Evropës më herët gjatë këtij muaji.

Klubi anglez tashmë ka mësuar se për të siguruar shërbimet e Koopmeiners duhet të paguajë 50 milionë euro, në atë që do të ishte një ribashkim me teknikun holandez.

Koopmeiners më herët ka luajtur nën urdhrat e Slot tek AZ Alkmaar në sezonin 2019/2020.

Koopmeiners ka shënuar 14 gola në 43 ndeshje për Atalantën këtë sezon dhe mund ta përfundojë këtë sezon me dy trofe të fituar.

Përveç Liverpoolit, dy ekipe tjera që kanë shprehur interesim për shërbimet e mesfushorit holandez janë edhe Napoli me Juventusin.