Liverpooli i ka dhënë mbështetje sulmuesit Daniel Strurridge pas hetimeve të nisura nga Federata Angleze e Futbollit (FA) se 29 vjeçari kishte vënë baste në futboll në janar të këtij viti, derisa ka kohë deri me 20 nëntor t’i përgjigjet këtyre pretendimeve.
Klubi i Liverpoolit insiston se Sturridge ka bashkëpunuar me hetimet e FA ndërsa ka shtuar se ish futbollisti i Chelseat është i vendosur në idenë se nuk ka vënë baste asnjëherë.
“Daniel e ka dhënë maksimumin e tij për të bashkëpunuar me organet kompetente lidhur me këtë rast teksa na ka siguruar se do ta vazhdojë këtë qasje. Ai gjithashtu i ka mohuar kategorikisht këto akuza duke thënë se nuk është marrë asnjëherë me baste. Deri në mbylljen e këtij procesi nuk do të bëjmë komente tjera”, tha një zyrtar për informim te Liverpooli.
Sturridge ka koleksionuar 12 paraqitje këtë sezon duke shënuar 4 gola me fanellën e “The Reds”.







