S’ka fitues

Liverpool dhe City baras, tri ekipe me nga 20 pikë

Liverpool dhe Manchester City janë ndarë baras, 0:0, në kryendeshjen e javës në Premierligë.

Liverpool e filloi më mirë takimin, duke ushtruar presing të lartë tek skuadra kundërshtare e cila kishte probleme në qarkullimin e topit. Me vazhdimin e lojës, skuadra e Guardiolas mori vetën dhe filloi ta mbajë topin në posedim.

Edhe pse tempoja e lojës ishte tejet e lartë, pjesa e parë nuk tregoi ndonjë gol apo ndonjë rast të pastër për gol.

Pjesa e dytë përsëri tregoi një Manchester City që mbante topin diçka më shumë se kundërshtari. Liverpool në anën tjetër ishte shumë taktik duke mos i dhënë hapësira lojtarëve kundërshtar.

Ishte minuta e 84’ kur David Silva dha një pasim interesant për Sane, ky i fundit që shfrytëzoi shpejtësinë e tij dhe fitoi një 11 metërsh. Të gjithë sytë ishin tek Mahrez, i cili gaboi nga pika e bardhë dhe u kthye në figurën tragjike të mbrëmjes.

Skuadrat treguan futboll tejet dinamik dhe të bukur për sy edhe pse goli mungoi.

Kësisoj, kreun e tabelës tashmë e ndajnë tri skuadra; Manchester City, Chelsea e Liverpool, me nga 20 pikë secila.