Lirim Kastrati drejt Francës, pritet t’i bashkohet Zenelit në Reims

Pas transferimit të Arbër Zenelit, klubi francez Stade de Reims është afër transferimit të edhe një futbollisti tjetër kosovar. Footmercato raporton se Lirim Kastrati tashmë ka arritur marrëveshje me francezët.

Në mars të vitit të kaluar, Lirim Kastrati e rinovoi kontratën e tij me Lokomotiva Zagrebin duke nënshkruar marrëveshje deri më 30 qershor të vitit 2023. Megjithatë, sipas lajmeve të fundit, kosovari s’do ta vazhdojë edhe gjatë karrierën e tij në Zagreb.

Paraqitjet mbresëlënëse të sulmuesit 20-vjeçar kanë bërë që për të ketë interesim edhe në klubet e tjera evropiane, si Stade de Reims, ku luan edhe Arbër Zeneli. Për të besohet se është i interesuar edhe gjiganti turk, Besiktas.

Sipas Footmercato, Kastrati tashmë veçse ka arritur marrëveshje me Reims, por, për t’u kompletuar transferimi i tij, francezët duhet të arrijnë marrëveshje edhe me Lokomotiva Zagrebin. Kosovari besohet se do t’u kushtonte atyre 1 ose 1.5 milion euro.

Kastrati e ka bërë një paraqitje për ekipin e parë të Kosovës, ndërsa më shumë ka luajtur për grupmoshat U-19 dhe U-21.

Ai e ka nisur me këmbë të mbarë edhe sezonin e ri të ligës kroate, ku në pesë paraqitjet e tij e ka shënuar një gol dhe i ka bërë dy asiste.