Sulmuesi i talentuar nga Prishtina, Liridon Latifi ka shkëlqyer në ndeshjen e fundit me Pushkash Akademi në Hungari.

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë realizoi het-trik në fitoren 1-3 të Pushkashit ndaj Paks, për ta kualifikuar skuadrën e tij në çerekfinale të Kupës së Hungarisë. Ish-futbollisti i Flamurtarit, Prishtinës dhe Skënderbeut rrëfehet në një intervistë për gazetën “Zëri”.

Futbollisti nga Kosova, Liridon Latifi, e “ka çmendur” Hungarinë të martën mbrëma. Latifi ka shënuar tre gola në Kupën e Hungarisë ndaj skuadrës së Paks në fushën e kësaj të fundit. Pushkash e fitoi këtë ndeshje me rezultat 1-3, takim që u zhvillua në kuadër të 1/8-ve të finales.

Vendasit zhbllokuan shifrat në minutën e 17-të, me anë të një penalltie, por ishte shqiptari Latifi që në minutën e 23-të barazoi gjithçka, duke shndërruar në gol një goditje dënimi, nga rreth 20 metra. Latifi e realizoi edhe golin e dytë për 1-2 në minutën e 75-të, derisa në minutën e 82-të realizoi nga penalltia për 1-3. Me këtë fitore skuadra e Puskasit është kualifikuar tutje në Kupën e Hungarisë.

“Çdo gol të bën që të ndihesh mirë e sidomos kur shënon het – trik dhe e dërgon skuadrën tutje. Ishte një ndeshje shumë e fortë fizikisht dhe e kemi përballuar me shumë sukses”, ka deklaruar Liridon Latifi të mërkurën.

Tutje Latifi thotë se objektivi kryesor i skuadrës së tij në këtë edicion është fitimi i Kupës. “Ne e kemi si synim Kupën e Hungarisë. Po ndihem shumë mirë që e ndihmova skuadrën në një fazë shumë të rëndësishme”, potencoi Liridon Latifi.

“Doni” në këtë edicion ka realizuar katër gola në Kupë, ndërkohë që gjatë këtij sezoni ka shënuar edhe një tjetër gol në kampionatin hungarez.

25-vjeçari Latifi është shumë i lidhur me familjen e tij. Ditë më parë ka ndërruar jetë gjyshi i tij, i cili sipas tij, ka qenë tifozi më i madh i Latifit.

Golat e fundit Liridoni ia dedikon gjyshit tashmë të ndjerë dhe nënës.

“Për golat i kam dy dedikime. I pari është për gjyshin tim, i cili ka ndërruar jetë para pak ditësh dhe i cili ka qenë tifoz i madh imi. Dedikimi i dytë është për nënën time e cila dje, në ditën kur shënova het-trik, e ka festuar ditëlindjen”, theksoi Liridon Latifi.