Federata e Futbollit të Malajzisë është duke i ndërmarrë hapat e parë për t’ia dhënë nënshtetësinë lojtarëve të huaj, ndër të cilët është edhe kosovari Liridon Krasniqi, i cili luan për klubin Melaka.
27-vjeçari ende nuk ka luajtur për asnjë ekip kombëtar në ndeshje zyrtare. Ai i ka vetëm dy paraqitje për ekipin kombëtar U-21 të Shqipërisë. Pasi që Kosova nuk e ka thirrur atë pas pranimit në FIFA, Krasniqi ka bërë të ditur se ai dëshiron të luajë për Kombëtaren e Malajzisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kosovari e kishte shprehur mirënjohjen e tij për Malajzinë, ku po luan që nga viti 2015. Ai kishte thënë se do ta pranonte menjëherë mundësinë e përfaqësimit të këtij vendi.
“U gëzova kur mësova për interesimin e Federatës së Malajzisë. Nëse bëhet realitet, do ta japë më të mirën time për ekipin e Malajzisë. E konsideroj këtë vend si shtëpinë time të dytë, pasi që më ka dhënë shumë gjëra”, kishte thënë Krasniqi vitin e kaluar.
“Nëse marr ofertë nga Malajzia, nuk do ta refuzoj sepse dua të luaj për ekipin e tyre kombëtar. Kam nevojë për edhe dy vjet më shumë me një klub këtu për t’u kualifikuar për nënshtetësi, sipas rregullave të FIFA-s”.
Këto dy vjet tani janë kthyer në një vit dhe presidenti i Federatës së Malajzizë, Detuk Hamidin Mohd Amin, zbuloi se ata janë duke e bërë një plan për t’ia dhënë nënshtetësinë lojtarëve të huaj, pas takimit që do të mbahet më 30 mars.
Krasniqi ka qenë që katër vjet duke luajtur futboll në Malajzi dhe rregullat e FIFA-s thonë se një futbollist duhet t’i kalojë pesë vjet në një vend, për të qenë i përshtatshëm për ta marrë nënshtetësinë e atij vendi.
“Do ta bëjmë këtë gjë sipas rregullave të FIFA dhe nëse pajtohet qeveria jonë, do të vazhdojmë përpara me këtë plan. Do të jemi të kujdesshëm pasi që nuk duam që lojtarët të abuzojnë me pasaportën malajziase”, ka thënë Hamidin.
Lojtari i parë i cili përfitoi nga ky projekt ishte Mohamadou Sumareh nga Gambia. Sipas Fox Sports Asia, Liridon Krasniqi dhe Lee Tuck nga Anglia pritet të jenë lojtarët e radhës që do ta marrin nënshtetësinë malajziase.







