Liria merr një fitore të madhe te Gjilani

Liria ka fituar në udhëtim te Gjilani me rezultat 1-0 ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.

Skuadra prizrenase i është kthyer fitores pas tri humbjeve radhazi dhe atë në një terren të nxehtë si ai i Gjilanit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim nga mysafirët, të cilët përveç rasteve shënuan edhe një gol.

Në minutën e 25-të, Fatih Karahoda pati rast të mirë shënimi, por dështoi të shënojë, ndërsa po i njëjti arriti ta gjej golin në minutën e 42-të.

Në minutat shtesë, Liria pati edhe një rast të mirë, por goditja e Liridon Fetahajt gjeti vetëm traversën.

Pjesa e dytë foli e gjitha në të mirë të vendasve të Gjilanit, të cilët kërkuan me ngulm golin e barazimit.

Gjilani pati disa raste të mira me anë të Wilber Perez dhe Trevin Ceasar, por asnjëri nuk arriti ta gjej rrjetën dhe ndeshja përfundoi me fitoren 0-1 të Lirisë.

Pas kësaj fitore, Liria ngjitet në pozitën e 10-të me nëntë pikë, ndërsa Gjilani renditet në vendin e pestë me 14 pikë. Në ndeshjen e radhës, Liria e pret Trepçën ’89, ndërsa Gjilani udhëton te Llapi.