Kampioni i Kosovës në futsall, Liqeni i Drenasit, e ka luajtur të premten mbrëma ndeshjen e dytë në raundin kryesor të Ligës së Kampionëve. Liqeni humbi 7:1 nga kampioni i Ukrainës, Uragan.

Ndeshja është luajtur në Ivano-Frankivsk të Ukrainës, ku po zhvillohet turneu i Grupit 6 të raundit kryesor (Main Round) të Championsit.

Vetëm fituesi i grupit avancon tutje në raundin elitar, ndërsa Liqeni tashmë është pa gjasa. Uragani ka fituar dy ndeshjet e deritashme. Edhe nëse e humb ndeshjen e tretë do të jetë i pari. Në rast se skuadrat kanë pikë të barabarta, atëherë shikohet bilanci i ndërsjellë. Uragani udhëheq me 6 pikë, ndërsa Arazi azerbajxhanas dhe Liqeni i kanë nga 3 pikë. Ndaj dy skuadrave kanë fituar ukrainasit.

Liqeni të enjten fitoi 6:4 ndaj United Galatit të Rumanisë. Ndërkohë Uragani fitoi 2:1 ndaj Arazit. Të premten Arazi fitoi 5:3 ndaj Galatit.

Të dielën janë ndeshjet Liqeni – Araz dhe Uragan – Galati.

Në humbjen e thellë të së premtes, golin e vetëm për Liqenin e shënoi Nagles Sanches në minutën e 36-të.

Liqeni ka kaluar me sukses raundin parakualifikues të Ligës së Kampionëve.