Liqeni i Kuqishtës

“Liqenati”, liqeni i cili ndodhet në 1,970 metra lartësi: Kaq kohë duhet të ecni nëpër Bjeshkët e Nemuna, për të arritur atje

Liqeni i Kuqishtës i njohur ndryshe edhe si Liqeni i Liqenatit, është një liqen malor i cili ndodhet në Malin e Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në pjesën perëndimore të Kosovës.

Turistë të shumtë shkojnë edhe në Pejë në Bjeshkët e Nemuna si gjatë verës ashtu edhe dimrit. Rugova është njëra ndër pikat kyçe, ku ka edhe pamje mahnitëse.

Në Bjeshkët e Nemuna ndodhet edhe liqeni i quajtur Liqenati i Madh apo i Kuqishtës. Ky është një liqen malor i cili ndodhet në Malin e Leqinatit në Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në pjesën perëndimore të Kosovës.

Ky liqen është i njohur në të gjithë Kosovën dhe vizitohet edhe nga njerëzit e Grykës së Rugovës ashtu si edhe nga alpinistët të cilët ngjiten në majat e maleve të tilla si Liqenati me 2,341 metra dhe Guri i Kuq me 2,522 metra.

Foto: Leutrim Haziraj

Mirëpo shumë njerëz dëshirojnë të dinë se si shkohet deri te Liqeni i Kuqishtës.

Për të shkuar aty, fillimisht duhet që me veturë të shkoni deri te restoranti “Guri i Kuq”, ku mund ta parkoni veturën dhe nga aty fillon shtegu për te Liqenati.

Më pas duke ndjekur shenjat nëpër drunj, tregojnë rrugën që duhet ta ndiqni për deri tek Liqenati.

Foto: Leutrim Haziraj

Gjatë ecjes ju do të mahniteni me pamjen e bukurive të maleve të Rugovës, ku gjelbërimi i gjithanshëm dhe pishat japin pamje atraktive gjatë ecjes. Karakteristikë tjetër gjatë ecjes janë dredhëzat e egra që mund t’i shijoni pa problem dhe të përshëndeteni me të panjohurit që i takoni në të njëjtin shteg.

Lodhjen, e cila do t’ju shkaktohet si pasojë e ecjes në terren me vështirësi mesatare, do ta harroni pas thuajse 1 ore e 30 minutave kur të arrini te Liqenati apo Liqeni i Kuqishtës.

Foto: Leutrim Haziraj

Nga larg, pamja e këtij liqeni është jashtëzakonisht e bukur sepse zakonisht nuk ka turma të njerëzve, andaj ju mund ta shijoni tërë magjinë e tij në një qetësi malore.

Nga afër, uji i pastër e i freskët do t’ju bëjë për vete dhe vështirë se do të rezistoni pa u futur në të për të “notuar në mal”.

Foto: Leutrim Haziraj

Në të gjitha anët keni hapësirë për t’u ulur dhe për të pushuar, për ta ngrënë ushqimin që e keni përgatitur paraprakisht dhe herë pas here pra mund të freskoheni me not në ujin e kthjelltë të këtij liqeni.

Liqeni Liqenat është në një lartësi mbidetare 1,970 metra mbi nivelin e detit.