Lippi beson Conte mund të ringjall Real Madridin

Ish trajneri i Juventusit dhe Italisë, Marcelo Lippi beson se Antonio Conte do të ishte zgjedhja e duhur për Real Madridin pas startit të dobët që solli shkarkimin e Julen Lopeteguit nga stoli i “Los Blancos”.

“Mbretërit” janë vënë në kërkim të trajnerit të dytë brenda 5 muajve, për shkak se Lopetegui u shkarkua të hënën në mbrëmje pas vetëm 14 ndeshjeve në drejtim të Real Madridit.

Lippi i cili ka stërvitur Conten gjatë karrierës si futbollist të këtij të fundit, mendon se 49 vjeçari është njeriu i duhur për kampionët në fuqi të Europës.

“Conte i ka të gjitha aftësitë teknike dhe psikologjike për të qenë trajner i skuadrave të mëdha, e pse jo edhe Real Madridit. Nuk e di nëse ai është i interesuar për Real Madridin, dhe se Real Madridi është i interesuar për Conten, por sigurisht se ai do të ishte në gjendje për ta rikthyer në formë skuadrën”, theksoi Lippi.

Santiago Solari është emëruar përkohësisht trajner i Real Madridit në prag të përballjes së vlefshme për Copa del Rey ndaj Melilla.