Linjë nënujore deri në Egjipt, Rama: Gur kilometrik në rrugën tonë drejt Shqipërisë 2030

Këtë të hënë është nënshkruar marrëveshja e rëndësishme me kompaninë “4iG” për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.

Në një konferencë për shtyp, kryeministri Edi Rama falënderoi gjithë skuadrën e kompanisë prestigjioze për këtë projekt madhështor i cili sipas tij e çon akoma më përpara vendin tonë në fushën e inovacionit.

“Kompania që në Shqipëri zotëron kompaninë “One” dhe që sot vjen si një partner i qeverisë shqiptare për të ndërtuar këtë lidhje të parë ndërkontinentale të Shqipërisë që do kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurtë të të dhënave përmes një fibre optike lidhëse midis Egjiptit dhe Shqipërisë, duke i dhënë mundësi vendit tonë për një akses në këtë rrugë të re të Mesdheut për një sërë vendesh të Evropës Qendrore”.

Të pranishëm në këtë event ishin edhe ministrja e Infrastrukturës e Energjisë Belinda Balluku si dhe CEO i kompanisë “4iG”  Peter Fekete. Kreu i qeverisë përpos falënderimeve, u shpreh optimist dhe për punën që skuadra shqiptare do bëjë për ta zbatuar këtë projekt.

“Mendoj se nga njëra anë është projekt i mirëseardhur sepse rrit masën e mozaikut të projekteve për ta transformuar Shqipërinë në një vend kampion në rajon për inovacionin, por nga ana tjetër është i rëndësishëm për besimin e sipërmarrjes në terësi. Një besim që rritet vit pas viti  dhe gjen shprehje në këtë rast përmes kompanisë 4 iG që zgjodhi Shqipërinë si pikë referimi për këtë projekt shumë ambicioz. Në pamje të parë, projekti nuk ka shifra marramendëse, por në thelbin  e vet është marramendës për nga impakti dhe vlera që do krijojë. Duke i falënderuar dhe njëherë vendimmarrësit dhe skuadrën e kompanisë si dhe duke patur besim të plotë se pala jonë do jetë në lartësinë e duhur ttë zbatimit të projektit për vënien në funksion të kësaj autostrade, shënon një gur kilometrik në rrugën tonë drejt Shqipërisë 2030”, ka thënë Rama/tvklan.al/