Limaj: Pa Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin nuk do të kishte UÇK, pa UÇK s’do të kishte liri

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ndërsa ka folur për aktakuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve nga Gjykata Speciale ka thënë se ata nuk e përfaqësojnë veten atyre por ngjarjet e vitit 1998-1999.

Limaj ka thënë se pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin nuk do të kishte UÇK.

“Mos harroni kur flitni për ata njerëz, Thaçi, Krasniqi të tjerë janë në Hagë, jo për përfaqësimin e tyre politik, por për ngjarjet e 98-të dhe 99-tës. Është e padrejtë dhe hipokrite me i gjykuar këta njerëz nga sjellja e tyre në politikë në vitet e pasluftës. Nuk kish pas pa ata njerëz UÇK, pa UÇK nuk kish pas liri”, ka deklaruar Limaj në emisionin “Debat” në RTK, pasi u pyet se çfarë mendimi ka për të gjithë ata që i ‘fërkojnë’ duart nga arrestimet e Gjykatës Speciale.

Ndërsa ka folur për vrasjet e pasluftës, Limaj ka thënë se askush nuk mund të thirret në emër të UÇK-së pas 12 qershorit.

“Secili jep përgjegjësi për veprimet individuale pas 12 qershorit, dhe askush nuk mund të thirret në emër të UCK-së për veprimet e bëra pas 12 qershorit”, ka deklaruar Limaj.