Limaj i nis nga Malisheva tubimet me strukturat e Nismës për zgjedhjet e parakohshme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka nisur nga Malisheva tubimet me strukturat e Nismës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Limaj ka thënë se po e nisin pikërisht nga Malisheva, për t’i dhënë përgjigje sfidave në vazhdim. Lideri i Nismës, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk i ka pas punët më keq, andaj duhet mobilizim i madh qytetarë për t’i dhënë drejtimin e duhur vendit.

Limaj thotë se para tri viteve kishte paralajmëruar se vendi do të vijë pikërisht në këtë udhëkryq në të cilin vendi ndodhet tash. “Sot disa individë që nuk kanë bërë asgjë për vendin, po thonë se na jemi siguria për vendin. Si mund të jenë ata kur nuk kanë bërë gjë për këtë vend. Disa po e kontestojnë krejt ata që është arritur në këto 20 vite. Sot zemra e Kosovës është në Hagë.

Ata janë atje për vitet 98-99, por ata më kanë prapa 24h. Do t’i rri prapa dhe do t’i mbështes me krejt qënien time. Zërin e lirisë së Kosovës, Jakup Krasniqin, e kemi në Hagë për gjoja krime lufte, prandaj betejën do ta bëjmë për Kosovën dhe ky do të jetë angazhimi ynë”, ka thënë ndër të tjera Limaj. Ai ka kërkuar nga strukturat e Nismës në Malishevë të mobilizohen fort, sepse, në këtë formë do t’i kontribuojnë shtetndërtimit. Pas Malishevës, kreu i Nismës sot gjatë ditës do t’i takoj strukturat e Nismës në Suharekë dhe Prizren.