Arsenali ka qenë ndër top pretendentët për të transferuar senzacionin e Lilles, Nicolas Pepe, por klubi francez ia ka bërë të ditur londinezëve se për të lënë të lirë reprezentuesin e Bregut të Fildishtë duhen 80 milionë euro.

Shumë skuadra europiane janë interesuar për shërbimet e 23 vjeçarit, me “Emirates” që mund të jetë destinacioni i rradhës, por drejtori sportiv i Lilles ka siguruar se do të bëjnë gjithçka për ta mbajtur në skuadër Pepen deri në fund të sezonit.

“Të gjitha skuadrat e mëdha të Europës e vëzhgojnë Pepen dhe kjo është normale, por presidenti ka qenë i qartë. Ideja është që ai të vazhdojë të qëndrojë me ne. Por kur bazohem te eksperienca ime, nëse një klub vjen me një ofertë do ta shisja vetëm për 80 milionë euro. Ky është çmimi, ai ka qenë pjesë e rëndësishme e suksesit tonë këtë sezon”, deklaroi Luis Campos.

Pepe ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 5 asiste në 19 paraqitje në Ligue 1 me fanellën e Lilles, formë kjo që ngjallur interesimin e shumë skuadrave, derisa Unay Emery e njeh lojtarin nga afër prej periudhës së tij të kaluar në stolin e Paris Saint Germaninit.