Ligji problematik – Një histori përplasjesh për pagën minimale

Që në fillim u shfaqën telashe. Paga minimale prej 264 euro bruto, e prezantuar nga qeveria, nuk e mori pëlqimin e përfaqësuesve të sindikatave e bizneseve, në mars të 2022-ës, në Këshillin Ekonomiko-Social.

Pavarësisht mospajtimeve, ekzekutivi e miratoi atë në muajin pasues. Madje, ministri i Financave, Hekuran Murati, mëtonte që vlera e rrogës më të vogël, të hynte në fuqi shpejt. E përmendi 1 majin, si simbolikë për Ditën e Punëtorëve.

Projeksionet nuk dolën. Drafti u miratua vetëm në parim, në qershor, për të nxitur më pas tensione brenda e jashtë kuvendit. Më të pakënaqurit ishin veteranët të cilëve nuk iu rrit vlera e pensionit sa paga minimale. Protestat e tyre disi e ndërprenë këtë proces, ndërsa as nuk u arrit ndonjë marrëveshje mes OVL-së dhe kryeministrit Albin Kurti.

Për mbi një vit, kjo nismë ligjore u mbajt jashtë diskursit qeveritar, për t’u rikthyer më pas në seancën e 13 korrikut. Pas rrahjes masive mes pushtetit e opozitës, deputetët e Vetëvendosjes, të vetëm në sallën plenare, e votuan në lexim të dytë rrogën minimale prej 250 euro neto.

Kjo gjendje s’e ndali reagimin jashtë, për t’i riorganizuar veteranët, që kanë paralajmëruar bllokim të punës së kuvendit me protesta. Opozita, po ashtu, është kundër, derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese që e ngriu ligjin. Kësisoj, edhe presidentja Vjosa Osmani ka vendosur mos ta dekretojë atë, para aktgjykimit.

Krejt qasje tjetër ka pushteti, që kundërshtarët po i akuzon për dëmtim të punëtorëve që do t’u përmirësohej mirëqenia.

Paga minimale nga 130 deri 170 euro, nuk ka ndryshuar qe rreth 12 vjet në Kosovë.