Ligjet për gjykatat dhe Këshillin Gjyqësor këtë javë dërgohen në Kuvendin e Maqedonisë

Qeveria këtë javë do t’i lëshojë në procedurë kuvendore ndryshimet e Ligjit për gjykata dhe të Ligjit për Këshillin gjyqësor, paralajmëroi sot ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Vendimet e propozuara ligjore siç deklaroi Deskoska, janë harmonizuar me rekomandimet e marra nga Komisioni i Venecies. Ajo shpreson se deputetët do të kenë guxim për t’i mbështetur këto ndryshime ligjore.

“Përfundimisht i mbyllim rekomandimet prej Komisionit të Venecies të cilat i kemi marrë. Periudhën e kaluar, pas marrjes së mendimit prej Komisionit të Venecies në tetor, bëmë ndryshme të cilat do të thonë zbatim i këtyre rekomandimeve dhe si propozim të përpunuar nga Ministria e Drejtësisë që iu dërgua Komisionit të Venecies i cili këtë javë do të ketë seancë dhe do të prononcohet për këtë tekst.

Duke e pasur parasysh atë që si Qeveri tashmë e kemi marrë mendimin preliminar, mundem me kënaqësi të konstatoj se pothuajse të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecies të cilat janë dhënë deri më tani, janë implementuar”, deklaroi Dekskoska.

Ndryshimet kyçe në pjesën e Ligjit për gjykatat kanë të bëjnë me procedurat disiplinore për të cilat ka dhënë sugjerime Komisioni i Venecies që në vitin 2015 por deri më tani nuk janë implementuar.

Nga Shoqata e gjykatësve vlerësojnë se është bërë progres, por vlerësojnë se procedurat për përgjegjësi disiplinore duhet të jenë më të parashikueshme dhe të garantohet e drejta e ankesës.

“Gjykatësit vlerësojnë se procedurat për përgjegjësi disiplinore duhet të jenë më të parashikueshme me kriteret më objektive, të garantohet e drejta e ankesës, të mundësohet transparencë e procedurës me qëllim që të fitohen zgjidhje kredibile të cilat do të pranohen nga gjykatësit”, deklaroi kryetari i Shoqatës për gjykatësit dhe gjykatës në Gjykatën Supreme, Xhemali Saiti.

Ndryshimet në Ligjin për Këshill gjyqësor, nga ana tjetër, kanë të bëjnë me përgjegjësinë e anëtarëve të Këshillit për punën e tyre, ndërsa thjeshtohen dispozitat për procedurat për përgjegjësi disiplinore dhe për shkarkimin e gjykatësve.

Rizgjedhje e gjykatësve, siç theksoi ministrja e Drejtësisë, nuk është paraparë.