Ushtria

Ligjet për FSK-në mund të përfundojnë në Kushtetuese, ‘dalldia’ politike rrezikon procesin

Qeveria e Kosovës ka rrëshqitur tërësisht në folklorizëm politik.

Në media po qarkullon një ftesë e kryeministrit Haradinaj, me gabime amatere drejtshkrimore, që fton në “Ceremonin e Mandatimit të Ushtrisë së Kosovës”.

Nuk është esenca e kësaj ftese vetëm te gabimi drejtshkrimor p.sh. ceremoninë, në vend të “Ceremonin”, por një ftesë e tillë e kryeministrit Haradinaj mund ta rrezikoj përbaltjen e këtij procesi edhe pa u miratuar fare ligjet.

Ballkani.info mëson se Lista Serbe është duke e përgatitur rastin për dërgim në Gjykatën Kushtetuese, prandaj një folklorizëm politik i tillë vetëm sa i shkon për favor atyre.

Fillimisht, bazuar në ligjet që do të votohen, nuk po krijohet Ushtria e Kosovës, por po i ndryshon mandati Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mjafton të merren për shkas edhe pasaktësitë nga kundërshtarët e krijimit të saj. Kurse, mandatimi i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk bëhet pas votimit dhe miratimit të Kuvendit, por si procedura janë edhe shpallja nga presidenti dhe publikimi në Gazetën Zyrtare.

Dalldia politike e koalicionit qeveritar, nëse nuk tregohet maturitet institucional, mund ta rrezikoj seriozisht tërë këtë proces. /Ballkani.info/