LAJMI I FUNDIT

“Ligështohet” Vuçiqi, thotë se rrethanat kanë ndryshuar dhe i lut serbët e Kosovës të dalin në zgjedhje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në Pekin se Serbia dëshiron formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, e cila është e vetmja e nënshkruar.

“Edhe biseda më e keqe është më mirë se mos bisedë fare”, u tha Vuçiq gazetarëve në Pekin, transmeton Ballkani.info.

I pyetur për akuzat se po ushtron presion ndaj serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, Vuçiq tha se herën e kaluar ka qenë për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por se ata kanë qenë kundër dhe se i përkrah të gjitha vendimet e përfaqësuesve serbë.

Vuçiq shtoi se do të mbështesë çdo vendim të serbëve të Kosovës, edhe kur nuk është mirë për ta apo për Serbinë në tërësi, sepse “duhet të jemi me ata njerëz edhe kur është e vështirë edhe kur është e lehtë”.

“Unë kurrë nuk e detyroj askënd, as nuk mund ta bëj këtë, as nuk jam pronar i jetës dhe i së ardhmes së tyre. Thash se mendoj se rrethanat kanë ndryshuar, se do të ishte mirë të mendonin dhe këtë po ua kërkoj”, tha Vuçiq.

I pyetur për zgjedhjet në Serbi dhe parashikimin e rezultateve, Vuçiq tha: “Loja ende nuk ka filluar, do të shohim atje më 1, 2, 3 (nëntor) kur të fillojë ndeshja. Do të shohim se çfarë do të thotë populli”. /Ballkani.info/