Lidhja e fortë e Besnik Hasit me Lazion dhe Taren

Lidhja e skuadrës së Lazios me Belgjikën ka ekzistuar pothuajse gjithmonë, mirëpo kjo lidhje është forcuar edhe më shumë nëpërmjet Besnik Hasit dhe Igli Tares, drejtorit sportiv të ekipit nga Serie A.

Lidhja e vërtetë ka nisur në vitin 2013. Lucas Biglia dëshironte të largohej nga Anderlechti për të vazhduar karrierën në një ligë shumë më të fortë. Kështu që mesfushori argjentinas i ishte drejtuar Besnik Hasit, i cili menjëherë i kishte bërë një zgjidhje. Hasi prej vitit 2008 deri në vitin 2014 ishte ndihmëstrajner i Anderlechtit përpara se ta merrte drejtimin e ekipit deri në vitin 2016.

“Pastaj e kam thirrur në telefon Igli Taren, drejtorin sportiv të Lazios që është shqiptar”, ka thënë Hasi që e ka bindur Taren për të bërë një lëvizje të tillë. Ai ka folur për “nieuwsblad.be” për lidhjen me Lazion dhe Taren. Hasi e Tare janë prej personaliteteve kryesore shqiptare në futbollin ndërkombëtar.

“Igli nuk ishte shumë i dhënë pas ligës belge, por unë e binda të vinte për ta parë nga afër ndeshjen mes Anderlechtit e Brugges. Biglia e mbante ritmin e lojës në ekipin tonë dhe iu drejtova Tares me fjalët se për Lucasin do t’i vija duart në zjarr dhe se ai dëshiron të shkojë në Botëror me Argjentinën. Kështu që i thashë ta transferonte”.

Besimi ndërmjet Tares dhe Hasit ishte shumë i madh. Madje Hasi thotë se Iglin e ka sikurse vëlla me të cilin ka luajtur te Kombëtarja e Shqipërisë. Sipas Hasit, Tare ishte bërë sebep që ai kishte zgjedhur të luante për Shqipërinë përpara Kosovës, vendlindjes së tij.

“Tare në kohën e tij ka qenë lojtari më i rëndësishëm te Shqipëria. Ai jo vetëm që ka luajtur për Shqipërinë, por ka qenë i përfshirë edhe në organizimin e ekipit. Igli personalisht më ka thirrur duke më kërkuar që të mos luaja për Kosovën, por për Shqipërinë. Kryesisht për shkak të kësaj zgjedhjeje, unë kam bërë karrierë te Genku e Anderlechti. Dhe për këtë i jam falënderues Tares”, ka zbuluar Hasi. Ai ka luajtur për Shqipërinë kur Kosova nuk kishte përfaqësuese në gara evropiane.

Pas transferimit te Lazio për 5.5 milionë euro, Biglia u shndërrua në yll te ekipi italian. Ai brenda një kohe të shkurtër u bë edhe kapiten i Lazios dhe luajti në Botëror me Argjentinën përpara se të shitej te Milani për 17 milionë euro dëmshpërblim.

“Prej asaj kohe, Igli rregullisht e përcjell kampionatin belg me interes të madh dhe unë i kam dhënë atij gjithnjë e më shumë këshilla. Duhet të dini që ai nuk punon me 25 skautë. Ia kam propozuar Simon Delin nga Brugge, por ai nuk ishte në shitje. Megjithatë, Tare përfundoi me Wesley Hoedtin, të cilin e kam njohur nga e kaluara pasi ka luajtur mirë te Antwerpi. Tare e çmon ligën belge”, shtoi Hasi.

Duke përcjellë rregullisht Belgjikën, Igli Tares gjithashtu i kanë rënë në sy edhe futbollistët nga Ballkani. Ai ka zgjedhur Sergej Milinkoviq-Saviqin për 18 milionë euro nga Genku dhe Adam Marushiqin nga Ostende për 5.5 milionë euro. Milinkoviq-Saviq aktualisht vlerësohet ndër mesfushorët më të mirë në Evropë dhe Lazio për ta lënë të lirë po kërkon të paktën 70 milionë euro dëmshpërblim.

“Tare e njeh mirë ligën e Belgjikës dhe unë nuk habitem aspak që ai rregullisht transferon lojtarët më të mirë që te Lazio shndërrohen në yje. Pra, që nga viti 2013 kur e kam thirrur për Biglian, Tare është bindur që në kampionatin belg ka lojtarë cilësorë”, është shprehur Hasi.

Lazio të mërkurën (sot) do të luajë kundër Club Brugges në kuadër të Grupit F të Ligës së Kampionëve. Lazio në ndeshjen e parë e ka mposhtur Borussia Dortmundin (3:1) në shtëpi derisa Brugge ishte më e mirë se skuadra e Zenitit në udhëtim (2:1).