Bartësi i listës “Serbia kundër dhunës”, Miroslav Aleksiq, tha se pret që të paraqitet “së paku ndonjë gjyqtar” i Gjykatës Kushtetuese që do të lejohet të gjykojë sipas ligjit, moralit dhe nderit.
Ai tha se “nuk ka më kuptim” të mblidhemi para KQZ-së sepse aty nuk ka më njeri, por se pas Vitit të Ri do të ketë aksion dhe se po bëhen plane, transmeton Ballkani.info.
“Ne do të organizojmë periodikisht tubime të tilla të mëdha,” tha Aleksiq pas protestës që u mbajt sot në Beograd, ku u kërkua anulimi i zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi.
Ai tha gjithashtu se opozita “do të ketë një përgjigje” nëse qeveria përpiqet të krijojë parlamentin republikan dhe atë të Beogradit në janar.
Ka përfunduar para Gjykatës Kushtetuese protesta e nismës “ProGlas” e quajtur “Nuk jemi dakord”, kërkesa e protestës ishte anulimi i zgjedhjeve për “vjedhje elektorale”. Qytetarët u treguan kartona të kuq institucioneve gjatë shëtitjes nga Terazi drejt Gjykatës Kushtetuese. Marinika Tepiq, e cila është ende në grevë urie, iu drejtua shkurt turmës. /Ballkani.info/







