Liberalizimi i vizave | Në Kosovë mësyjnë t’i marrin meritat ata që dikur e bllokuan këtë proces dhe deshën t’i djegin institucionet

Parlamenti Evropian i ka dhënë sot dritën jeshile Kosovës për liberalizimin e vizave, ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm në Evropë nga 1 janari i vitit 2024. Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave, miratim ky që u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Vendimi për liberalizimin e vizave u mirëprit në Kosovë. Drejtues të institucioneve ishin ata që vrapuan për t’i dhënë vetes merita për liberalizimin, shkruan Demokracia.com. Ishin po këta liderë që në opozitë bllokuan ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kusht ky që BE-ja i pati vendosur Kosovës për heqjen e vizave. Revolta kundër demarkacionit u nxit nga Albin Kurti, aso kohe drejtues i opozitës.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ajo thotë se ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.

“Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme. Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, ka shkruar Osmani.

Meritat për liberalizim ia ka dhënë vetes Qeveria e Kosovës. Në komunikatën për medie, Zyra e Kryeministri ka përmendur tri elemente që ndikuan në zhbllokimin.

“Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, është thënë në njoftim.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka vlerësuar se puna e Qeverisë Kuti e ka zhbllokuar këtë proces.

“Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave. Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian.”, është thënë në njoftimin e VV-së.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar qytetarët lidhur me vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Krasniqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se ky vendim edhe pse shumë i vonuar është i mirëseardhur dhe i merituar.

“Vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, është më se i merituar e i mirëseardhur. Prandaj, para se gjithash, sot urimet i meritojnë qytetarët tanë. Shpresoj që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë”, ka  shkruat Krasniqi.

Po ashtu vendimin e ka përshëndetur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Abdixhiku e ka quajtur këtë ditë si të paharrueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

”Një ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj pasi liberalizimi i shumëpritur i vizave miratohet përfundimisht nga Parlamenti Evropian“, ka shkruar Abdixhiku në Twitter, të martën.

Parlamenti Evropian i tha sot po liberalizimit të vizave të Kosovës, duke e përmbyllur kështu këtë proces të stërzgjatur për qytetarët e Kosovës.

Miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian u bë pa votim pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Siç ishte njoftuar nga PE-ja, pas miratimit të liberalizimit në seancë plenare të martën, të nesërmen akti formalisht bëhet ligj, e që nënshkruhet nga presidentja PE-së dhe përfaqësuesi i Suedisë që mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS. /Demokracia.com/