Manchester United

Lëvizje në mbrojtje, një largim dhe një rikthim tek United

Manchester United pagoi 40 mln euro te Reali i Madridit për kartonin e Raphaël Varane në verën e vitit 2021. Mbrojtësi francez nisi një aventurë të re pasi fitoi gjithçka në Bernabeu.

Ky sezon nuk po shkon shumë mirë për të, ashtu si edhe për skuadrën e Ten Hag. Trajneri holandez nuk e sheh më 30-vjeçarin si titullar të padiskutueshëm.

Varane ka nisur vetëm katër ndeshje si titullar në Premier League, ndërkohë që prej tetorit numëron vetëm 17 minuta aktivizim me “Djajtë e Kuq”.

Në kushte të tilla, qendërmbrojtësi po shqyrton ofertat e marra. Varane dëshiron të nisë një aventurë të re, por Ten Hag ka bllokuar largimin e tij në janar.

Për shkak të dëmtimeve të shumta, trajneri u ka kërkuar drejtuesve që të pritet vera për të mbyllur bashkëpunimin me futbollistin nga Lille.

Ndërkohë, United ka marrë një lajm të mirë nga infermieria. Luke Shaw, i dëmtuar prej ditëve të fundit të gushtit, është rikuperuar nga problemet muskulore. Duke iu bashkuar skuadrës në stërvitje.