Drejtori sportiv

Leonardo përjashton rikthimin e Ibrahimovicit, konfirmon interesimin për Fabregasin

Drejtori sportiv i Milanit, Leonardo, e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në “San Siro” të sulmuesit suedez, Zlatan Ibrahimovic, derisa ka treguar se janë duke e monitoruar situatën e mesfushorit të Chelseat, Cesc Fabregas.

Ibrahimovic kaloi dy sezone te Milani, gjatë viteve 2010-2012, ndërsa fitoi një Serie A në sezonin e parë, kurse në atë dytin e përfundoi stinorin me 28 gola të shënuar në kampionat pavarësisht se “Rosonerët” u shpallën vetëm nënkampion.

37 vjeçari kohëve të fundit ka qenë i lidhur me një kalim te Milani, por kjo ide është mohuar përfundimisht nga Leonardo, i cili ka zbuluar se dëshira e të dyja palëve ka qenë për t’u ribashkuar, megjithatë Ibrahimovic i kishte premtuar LA Galaxy të vazhdojë aventurën e tij në MLS.

“Ibrahmovic nuk do të rikthehet te Milani. Ai i ka dhënë fjalën e tij LA Galaxys se do të rinovojë kontratën. Ne menduam ta rikthejmë ashtu si edhe vet ai, por ai do ta mbajë premtimin e dhënë për të zgjatur qëndrimin e tij në SHBA. Ai gjithmonë ka thënë se nëse Galaxy i mbushin kërkesat e tij, atëherë do të mbetet pjesë e klubit, dhe diçka e tillë po ndodhë. Do të ishte një histori e mrekullueshme dhe një sinjal i fortë se Milani po rikthehet, megjithatë nuk do të ndodhë”, zbuloi Leonardo.

Braziliani dha detaje edhe për një tjetër futbollist që në ditët e fundit është përmendur shumë për një kalim te Milani, e që është spanjolli Cesc Fabregas.

“Po e vlerësojmë këtë mundësi, po vazhdojmë t’i shikojmë kushtet”, tregoi Leonardo.