Drejtori sportiv

Leonardo e konsideron të pa drejtë eliminimin e Milanit nga Europa League

Drejtori sportiv i Milanit, Leonardo mendon se “Rosonerët” nuk do të eliminoheshin nga Europa League nëse në kompeticionin europian do të aplikohej teknologjia VAR.

Leonardo e ka fajësuar gjyqtarin e takimit, Benoit Bastien për eliminimin, teksa sipas tij Olympiacosi kaloi tutje për shkak të vendimeve të francezit.

Milani udhëtoi në Greqi me një avantazh prej 3 pikëve ndërsa do ishte kualifikuar edhe nëse do të pësonte humbje minimale, por tërë këtë epësi skuadra e Gattusos nuk arriti ta shfrytëzojë duke u mposhtur në fund 3-1.

Ish lojtari i Milanit, tani në pozitën e drejtuesit, Leonardo e ka kritikuar vendimin e gjyqtarit për të akorduar penallti në favor të grekëve 10 minuta para fundit, ndërsa u ankua edhe për atmosferën që mbretëroi në stadium.

“Më duket se penalltia ishte inekzistente. Nëse eliminohesh nga Europa League për këto arsye, në ditët ku flitet për VAR-in, e bën këtë rezultat të vështirë për t’u pranuar. Është qesharake që një teknologji si kjo e VAR-it që aplikohet gjithandej, të mos jetë në kompeticionet europiane. Ishte edhe një zhurmë e çuditshme në secilën herë kur ne sulmonim. Nuk e di se çfarë ishte por nuk është e drejtë të përdoren gjëra të tilla për të na dekoncentruar. Gjyqtari duhej ta ndalonte ndeshjen dhe t’i paralajmëronte t’i ndalnin ato zhurma”, u shpreh Leonardo.

Sipas brazilianit, Olympiacosi ishte në disavantazh të madh por këto incidente e vendosën kualifimin e grekëve për fazën me eliminim direkt në Europa League.